26 01 2025

Tubimi në Malishevë-Cep më Cep 118

Malisheva kurrë nuk ka luftuar për pak. Malisheva kurrë nuk voton për prag. Malisheva është pjesë e 500 mijë zemrave, është pjesë e fitores, është zemra e Kosovës.” Kryeministri Albin Kurti

Në një atmosferë të zjarrtë, çfarë vetëm Malisheva di ta organizojë e ta mbajë, qytetarët që s’mund t’i zinte salla e madhe e tubimit, konfirmuan përkrahjen e tyre për fitoren e 500 mijë zemrave, për fitoren e qeverisë me Kryeministër Albin Kurti.

Kandidati për deputet, ish-deputeti dhe veprimtari i palëkundur i çështjes kombëtare, z. Gani Krasniqi, deklaroi se, ashtu si në kohën e formimit dhe të organizimeve të UÇK-së, edhe tani Malisheva është e gatshme ta bëjë dallimin përmes mobilizimit të qytetarëve për 500 mijë votat që shkojnë për Lëvizjen VETËVENDOSJE!.

Ministrja Arbërie Nagavci theksoi se 9 shkurti do të jetë dita e vazhdimit të qeverisjes së mirë dhe se qytetarët e Malishevës do t’i bashkohen pjesës tjetër, cep më cep të Kosovës, duke qenë pjesë e 500 mijë zemrave. Ajo u shpreh se me Albin Kurtin Kryeministër në Republikën e Kosovës do të vazhdojnë projektet e mira e progresive në interes të qytetarëve, jo siç ka ndodhur me qeveritë e kaluara para Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Kryeministri Albin Kurti, mes brohoritjesh të zjarrta e të papara ndonjëherë, deklaroi se më 9 shkurt, pikërisht në këto orë, nga kutitë e votimit do të dalin 500 mijë votat e fitores së madhe të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Ai theksoi se kjo qeverisje e Lëvizjes VETËVENDOSJE! ishte qeverisja më e mirë në Kosovën e pavarur, ajo që e rriti ekonominë, shtoi punësimin, subvencionoi bujqësinë dhe ngriti cilësinë si në arsim ashtu edhe në shëndetësi. Ishte qeverisja që i rriti imazhin dhe dinjitetin edhe shtetit, edhe qytetarit; qeveria që e zmbrapsi Serbinë, që i garantoi kufijtë dhe që i shtoi sovranitetin e territorit shtetit tonë.

“Kemi blerë drona luftarakë Bayraktar TB2 nga Turqia, sisteme antitank Javelin nga Amerika dhe helikopterë Black Haëk (ose ‘Skiftera të Zinjtë’) po ashtu nga Amerika. Në mandatin e ardhshëm katërvjeçar, do të alokojmë 1 miliard euro për Ushtrinë e Kosovës — për ushtrinë që mbron, respekton dhe zbaton idealet e amanetet e dëshmorëve në njërën anë dhe mbron, respekton e zbaton dëshirat e rinisë, nevojat e popullsisë dhe ëndrrat e fëmijëve në anën tjetër.”

Kryeministri Kurti kujtoi që Malisheva është një komunë që bënë dallimin mes emrit UÇK dhe atyre që thirren “në emër të UÇK-së”.

“Ju jeni ndër komunat që e dini dallimin mes emrit UÇK dhe atij formulimi ose shprehjeje “në emër të UÇK-së”. Shkronjat UÇK janë të shenjta; lindën nga sakrifica dhe flijimi i Jasharëve, u përjetësuan nga heroizmi dhe gjaku i kaq shumë dëshmorëve, dhe nuk janë pronë e asnjë individi, sepse burojnë nga populli dhe i takojnë kombit. Këto shkronja janë të arta, i mbron shteti i fortë e sovran i Kosovës, i mbron ekonomia që rritet e sjell punësim, mirëqenie, progres e dinjitet. I mbrojnë djemtë e vajzat e ushtrisë sonë, i mbrojnë policët e Policisë sonë, i mbrojnë forcat tona të cilat çdo vit po forcohen me trajnime e armatim. I mbron qeveria jonë dhe e juaja, që i shërben popullit me dije, me nder dhe me djersë, në çdo cep të Republikës Demokratike të Kosovës, shtetit tonë të pavarur”.

Në fund, duke iu referuar përkushtimit të zjarrtë që kanë qytetarët e Malishevës për ndryshime të mëdha në vend, ai theksoi se: Malisheva kurrë nuk ka luftuar për pak. Malisheva kurrë nuk voton për prag. Malisheva është pjesë e 500 mijë zemrave, është pjesë e fitores, është zemra e Kosovës.

Kontribo