07 02 2025

Tubimi në Pejë-Cep më Cep 118

Qytetarët e Pejës nuk mund t’i ndalë asgjë, e këtë e treguan në këtë tubim madhështor të mbushur cep më cep e me entuziazëm që përshkonte secilën zemër, të bindur për fitoren e madhe të 9 shkurtit. Peja e Haxhi Zekës, lulja e Dukagjinit, e luftës, kulturës dhe artit foli njëzëri, qartë dhe vendosur, për numrin 118 me 500 mijë zemra anemabanë Kosovës.

Duke e hapur këtë tubim, kryeministri Albin Kurti tha se Peja është fole e shqiponjave në bjeshkët e larta sipër, por gjithashtu e dimë se fatkeqësisht ka edhe një çerdhe tjetër të nëntokës me gjarpërinj, duke shtuar: “Por a e dini çka të dashur Pejanë? Shqiponja e mund gjarprin, kudo, cep më cep, këtu, gjithnjë, përgjithmonë.”

Më tutje, përgjatë fjalës së tij, ai tha se në Spitalin e Pejës e kemi shtuar rezonancën magnetike, po e ndërtojmë depon moderne të barnave dhe po punojmë në funksionalizimin e sallës gjinekologjike, duke përmendur edhe investimin në lidhje me spitalin e këtij qyteti, që do të bëhet në bllokun operativ e sidomos në ortopedi.

“Fondin Sovran do ta bëjmë. Kryetari i Komunës që është këtu, partia e tij LDK-ja e quante projekt komunist. Ndërkohë, ShBA-ja tash po themelon Fond Sovran. Atë që e kemi kaluar ne me ligj, një vjet e dy muaj është duke pritur në Gjykatën Kushtetuese dritën jeshile. Por vetëm vonim, se shpëtim s’ka. Fondi Sovran i Republikës së Kosovës do të bëhet”, nënvizoi kryeministri Albin Kurti.

Me mbështetjen dhe entuziazmin e qytetarëve të Pejës, që rritej gjithnjë e më shumë përgjatë tubimit, kryeministri Kurti iu drejtua atyre duke thënë: “Kjo opozita shpreson së brendshmi te pazaret mbas partive dhe jo te programet e secilës. Opozita shpreson së jashtmi edhe te ndonjë ndërkombëtar. Kjo soj opozite e lyp fatin me qiri te ndonjë ndërkombëtar i cekët, e jo në thellësinë historike të kombit tonë, ku gjithnjë gjenden zgjidhjet më të mira për popullin tonë. Në vend që me e mirëpërdorë ShBA-në kundër Serbisë, këta kqyrin me gjet ndonjë zyrtar kundër kryeministrit tuaj. Prandaj, më 9 shkurt, këta ish-qeveritarë që duan të kthehen, i çoni në pakthim.”

Në vijim të fjalës së tij, kryeministri Kurti theksoi se fëmijëve të Kosovës nuk bën me iua lënë problemin me Serbinë dhe se gjenerata jonë, brezi jonë duhet ta kryejë atë një herë e përgjithmonë, e fëmijët e Kosovës sot nuk bën me e përjetu as burgun, as luftën, as okupimin, as masakrat, as torturat që i kemi përjetuar ne; ne duhet me qenë brezi që e mbyllim këtë kapitull. Më pas, ai shtoi se nëse ne nuk qëndrojmë kur është nevoja, ne i rrezikojmë fëmijët tanë dhe ne nuk kemi të drejtë t’i rrezikojmë ata, por e kemi obligim të rrezikojmë për fëmijët tanë. E ky obligim, tha ai, kryhet duke ua lënë brezave të rinj një ushtri të fortë, që e mbron Kosovën cep më cep.

“Një ndër gjërat e këqija që kanë ndodhur në Kosovën e pasluftës, në Kosovën e rrënuar, të djegur e të shkrumbuar, është se disa u bënë milionera. Nuk mund të pasurohet brezi jonë pa e rindërtuar njëherë Kosovën. Ku po don, në magje të fukarasë me i shti duart, në hambarin e bujkut që ia kanë vra me bagëti, me familje e ia kanë djeg traktorin? E t’i po don me ia marrë tokën tash, hektarin me 300 euro, se arin me 3 euro e kanë marrë. Kanë ndodhur gjëra të këqija, prandaj ne kemi thënë se do të bëhet Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Do i kthejnë cent më cent çka kanë vjedhë”, tha kryeministri Albin Kurti.

Në vazhdë të kësaj, ai theksoi: “Nëse këta që kanë vjedhur pasuri të Kosovës iua lënë trashëgimi fëmijëve të tyre, fëmijët e tyre do të bëhen pronarë, e fëmijët e tjerë të Kosovës do të bëhen rrogëtarë. E unë nuk e lejoj këtë gjë. Prandaj 9 shkurti është referendum. Nuk ka me u përdorë trashëgimia materiale e plaçkitur që i përket shtetit, si legalizim për hajninë edhe për vjedhjen. Duhet të ndërtojmë një shtet ku fëmijët janë të barabartë, e jo ku dihet që në fëmijëri që dikush kur të rritet do të jetë multimilioner, e dikush do të jetë buzë varfërisë. Nuk mundemi që ne të mbyllim sytë edhe veshët para tragiedive që do të ndodhin pas 10 vjetëve, kur fëmijët e sotëm do të jenë rrogëtarë të fëmijëve të këtyre që kanë plaçkitur e janë bërë pronarë. Nuk e lejojmë këtë gjë, mua më keni garancion.”

“Një ish-komandat që ka kontribuuar në luftë, mbas lufte e privatizoi një terminal doganor. Çka i vyen, çka ka punë ish-komandanti me terminalin doganor? Ai donte me ia lënë edhe djalit të vet, mirëpo: VETËVENDOSJE!. VETËVENDOSJA! Kur fitoi, kjo V-ja e gishtave u bë gërshërë, edhe ia kemi pre terminalin doganor. Terminalin doganor e bëmë shtetëror. Nuk ka me ia bart djalit të vet, se e ka marrë shteti që iua jep krejt djemve dhe vajzave të Kosovës”, potencoi kryeministri Kurti, i cili më pas shtoi sërish:

“Këtu ju e keni këtë korporatën Devolli. Hala s’ia kishin kthy 62.6 milionë euro Telekomit. Blerim, Shkëlqim, ktheja paret se s’janë tuajat, me arbitrazh të kurdisur i keni marrë. Ku është Z Mobile tash? E Burbuqe Hana që e kemi në Telekom, e ka kthyer Telekomin e Kosovës me 15 milionë euro fitim, 15 stacione bazë të transmetimit i ka vendosur në veri të Kosovës. Veç kur ka mundur policia me komuniku, ka mundur me i arrestu dhe me i luftu suksesshëm grupet kriminale e strukturat paralele atje. Këtë ka bërë Burbuqe Hana, Telekomi i Kosovës që vëllezërit Devolli ia kanë 62.6 milionë euro borxh. Duhet me ia kthy paret Telekomit, se e ka shtri rrjetin në veri dhe e kami shtri sovranitetin në veri. Ku është Z Mobile me shtri sovranitetin në veri?”

Prandaj, shtoi më tutje kryeministri Kurti, 9 shkurti është referendum, është referendum historik: o tash o kurrë, o krejt o asgjë.

Kryeministri Albin Kurti prezantoi në vazhdim përballë qytetarëve të pranishëm kandidatët e listës tonë 118 nga rajoni i Pejës: Fatmire Mullhaxha Kollçaku, Raif Çavolli, Rozeta Hajdari, Shpëtim Hajdaraj, Gramos Agusholli, Gazmir Raci, Teuta Mulaj, Mentor Arifaj, Zef Ndrejaj, Taulant Kelmendi dhe Donika Gërvalla.

Në fund të këtij tubimi, kryeministri Kurti tha se këto 4 vjet e këtë fushatë, fjalët që më së shumti i kemi dëgjuar nga qytetarët janë “Mos lësho pe!”: “Unë po ju them që nuk lëshoj pe, e më 9 shkurt ju mos lëshoni pe. Më 9 shkurt, tri fjalët ‘Mos lësho pe’ i kanë tri shifra: 118, cep më cep Republikës.”

Kontribo