Tubimi në Prizren-Cep më Cep 118
Në Prizren, në më të bukurin vend, më bukur e më hijshëm se kurrë më parë, për fitoren më të madhe që ndonjëherë është parë, për numrin 118 e me 500 mijë zemra. Në shatërvanin e Prizrenit, në vend të ujit sonte kishte zjarr, duke buruar prej atyre zemrave të bëra bashkë për fitoren e madhe të 9 shkurtit, prej qytetarëve të Prizrenit që mbushën sheshin cep më cep në këtë tubim madhështor.
Në nisje të fjalimit të tij, e i shoqëruar vazhdimisht me brohoritje zemre e mbështetjeje të pakursyer, kryeministri Albin Kurti tha se Prizreni na ka dashur gjithmonë si Lëvizje, por edhe ne si Qeveri e kemi dashur fort Prizrenin, e provuar kjo nga buxheti që është ndarë, por edhe nga emërimet e bëra, e në këtë mënyrë Prizreni nuk ka qenë asnjëherë më i përfaqësuar sesa tani në nivelin qendror.
Më pas ai theksoi: “Në secilën prej masave e politikave tona, komunitetet joshumicë janë përfaqësuar e shpesh edhe mbipërfaqësuar. Për shembull, komunitetet joshumicë përbëjnë 17% të përfituesve të subvencioneve për pajisje efiçente dhe 16% të praktikantëve me pagesë në programin Kosovo Generation Unlimited. Pra, ne jemi nga të gjithë, për të gjithë, për secilin e pa lënë asnjeri mbrapa.”
“Kurrë qytetarët e Kosovës nuk e kanë pasur gjendjen e sigurisë dhe atë socioekonomike më të mirë se në këto katër vjet. Ka të pakënaqur nëpër studiot televizive, por ata nuk janë të pakënaqur pse janë të papunë ose të varfër, por janë të pakënaqur nga lakmia dhe xhelozia. Qeveria jonë nuk mund të merret me disa individë të pakënaqur nga lakmia e nga xhelozia, siç janë edhe krerët e partive opozitare. Ne merremi me shtimin e punësimit dhe zvogëlimin e varfërisë dhe këtë e kemi bërë si askush tjetër, si asnjëherë më parë”, shtoi kryeministri Kurti.
Në vazhdim ai theksoi se për katër vjet Kosova i ka 80 mijë të punësuar më shumë, apo sa gjashtë stadiume “Fadil Vokrri” të mbushura plot në Prishtinë, duke përmendur edhe se sipas Bankës Botërore, e kemi zvogëluar për gati 25% varfërinë.
“Me Qeveritë e kaluara, partneri kryesor tregtar i Kosovës në rajon ishte Serbia, me neve partneri kryesor tregtar në rajon është Shqipëria. Me ato ish-qeveritë, Kosova importonte më së shumti mallra nga Serbia, me Qeverinë tonë ne importojmë më së shumti nga Turqia”, nënvizoi kryeministri Kurti përballë qytetarëve të Prizrenit.
Po ashtu, foli edhe rreth raportit të Nismës Globale Kundër Krimit të Organizuar Transnacional, sipas të cilit Kosova është vendi me më së paku krim në Ballkanin Perëndimor dhe ajo është në mesin e top 10 vendeve në Indeksin më të lartë të Ligjit dhe Rendit, si dhe një ndër vendet më të sigurta për qytetarët, sipas raportit të organizatës amerikane Gallup, që tregon shumë për popullin tonë dhe për profesionalizmin e policisë tonë.
“Në këto 4 vjet, në Prizren kemi investuar gjithsej mbi 240 milionë euro, e në mandatin e ri vetëm rruga Prizren-Tetovë do të jetë 200 milionë euro, që do ta ndërtojmë e financojmë bashkë me Maqedoninë e Veriut. Do ta ndërtojmë edhe rrugën e Dukagjinit, që zgjerohet dhe lidh Prizrenin, Rahovecin, Gjakovën, Deçanin me Pejën dhe Istogun. Spitalit rajonal të Prizrenit ia kemi shtuar rezonancën magnetike, shërbimet e kardiologjisë invazive, e do t’i vazhdojmë investimet milionëshe për repartin e Pediatrisë dhe do ta ndërtojmë Poliklinikën Specialistike në Sharr”, theksoi kryeministri Kurti.
Në vazhdim të fjalës së tij, kryeministri Albin Kurti tha se do t’i shtojmë edhe 10 profile të tjera te sistemi dual: “Në këtë mënyrë, të rinjtë tanë, prej moshës 15 apo 16 vjeçare fillojnë dhe e lidhin fitimin e përfitimin me punën dhe angazhimin, e jo me fatin dhe me krimin. Ky është aspekt tejet i rëndësishëm socio-kulturor, që mëson qysh në moshë të re se pasurimi dhe fitimi nuk vjen prej fatit apo krimit, por prej angazhimit dhe punës.”
Në vijim ai prezantoi kandidatët për deputetë nga lista jonë fituese e LËVIZJES VETËVENDOSJE!, që janë nga rajoni i Prizrenit: Hajrulla Çeku, Dafina Alishani, Mytaher Haskuka, Arbër Rexhaj, Haxhi Avdyli, Jetmire Vrenezi, Ilir Gashi, Salih Zyba, Albena Reshitaj, Gani Krasniqi, Jetmir Ajdini, Nora Fetoshi, Lendrit Iljazi, Valon Hoti, Hysen Durmishi dhe Artan Abrashi.
Në përmbyllje të këtij tubimi frymëzues në Prizren, kryeministri Albin Kurti tha se në mesin e këtyre 500 mijë zemrave, nga Prizreni i duam, sepse na duhen, 40 mijë zemra apo 40 mijë vota për numrin 118: “Punoni të gjithë, e flejmë pas 10 shkurtit. Deri më 9 shkurt le ta kursejmë edhe gjumin, por jo punën. Ne kemi koalicion me popullin, VETËVENDOSJE! në koalicion me Guxo, me Alternativën dhe popullsinë e Prizrenit dhe popullin e Kosovës. Faleminderit që po e bëni dimrin verë. Më 9 shkurt Prizreni, Kosova e diaspora, do të votojnë bashkë, do të festojmë bashkë e do të fitojmë bashkë me mbi 500 mijë vota.”
![](https://www.vetevendosje.org/wp-content/uploads/2025/02/476032716_1035599415272975_5209839803877121546_n-1024x732.jpg)
![](https://www.vetevendosje.org/wp-content/uploads/2025/02/476097349_1035599448606305_2126625688809437941_n-1024x732.jpg)
![](https://www.vetevendosje.org/wp-content/uploads/2025/02/476104289_1035599571939626_5052878178483596706_n-1024x732.jpg)