Tubimi në Shtime-Cep më Cep 118
Shtimja me shumë zemra për VETËVENDOSJE!-n, cep më cep 118
Në Shtimen e Reçakut të lavdishëm, të dëshmorëve dhe martirëve që na e sollën lirinë. Në Shtimen e Ahmet Shtimës, Imer Devetakut dhe të Qorr Ilazit. Në Shtimen e qeverisur nga Vetëvendosja dhe kryetari Qemajl Aliu, u zhvillua një tubim madhështor me pjesëmarrjen e qindra qytetarëve që me zemër janë me qeverisjen e Kryeministrit Albin Kurti.
Kryetari i Shtimes, z. Qemajl Aliu, u shpreh se udhëheqja e Kryeministrit Albin Kurti ka dëshmuar rezultatet që mund të arrihen kur populli dhe shteti janë mbi çdo gjë tjetër. “Pas lirisë, për herë të parë është vendosur rendi dhe ligji në çdo cep të territorit të Kosovës, duke treguar qartë se vendi ynë është i pandashëm. Ushtria jonë po forcohet çdo ditë, policia është ndër më të përgatiturat në rajon, dhe qytetarët ndihen të sigurt kudo.”
“Opozita e oligarkëve le të shpifë sa të dojë, sepse neve na flasin punët dhe rezultatet, e populli e di mirë se kush punon për të dhe kush e ka tradhtuar. Më 9 shkurt është dita kur vendosim për fëmijët, shtetin dhe ëndrrat tona”, tha Kryetari Aliu.
Ministrja e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu, theksoi se mandati i Qeverisë Kurti 3 do të jetë mandati ku do të realizohen të gjitha reformat e nisura në Drejtësi. “Byroja për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, që na u bllokua për 17 muaj, do të bëhet shpejt realitet. Kosova do të jetë shtet i së drejtës, i mbështetur mbi parimet e barazisë, drejtësisë dhe transparencës.”
Ministrja Haxhiu kujtoi që në asnjë periudhë të mëparshme nuk ka pasur një qeverisje që ka adresuar sfidat e vajzave dhe grave siç ka bërë Qeveria Kurti 2. “Përmes mbështetjes së studimeve, nënave lehona dhe grave në punësim, po punojmë për një shoqëri ku gratë janë pjesë e pandashme e forcës punuese, zhvillimit dhe udhëheqjes së vendit”, tha ajo.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, në fjalën e tij përmendi projektet e realizuara nga bashkëpunimi i qeverisë me komunën e drejtuar nga z. Qemajl Aliu.
“Në Shtime kemi ndërtuar Observatorin dhe Planetariumin Kombëtar, të parin dhe të vetmin në Kosovë, me teleskopin më të madh diellor në krejt Evropën Lindore. Gjithashtu kemi ndërtuar Bibliotekën e Qytetit. “E gjetëm Shtimen me vetëm një çerdhe, pra për 20 vjet vetëm një çerdhe, dhe ne tash i kemi shtuar katër të tjera”, tha ai.
“Në mandatin e ardhshëm, kemi ende shumë punë përpara. Ndër projektet kryesore janë: Ndërtimi i Kompleksit Memorial të Masakrës së Reçakut, i dyti pas atij të Epopesë në Prekaz. Vazhdimi i autostradës Duhël–Shtime–Banullë, me gjatësi 31 km. Ndërtimi i Qendrës së Mjekësisë Familjare, me vlerë 3 milionë euro. Ndërtimi i Entit Special të Shtimes, investim prej 6 milionë eurosh. Rinovimi i Parkut Teknologjik dhe ndërtimi i nënstacionit të transmisionit 110 kV për furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike”, tha Kryeministri Kurti.
“Ata që defilonin në pushtet e trajtonin atë si sfilatë: disa prej tyre nuk kishin mend, disa nuk kishin zemër dhe disa të tjerë nuk kishin as mend as zemër. Ndërsa ne, përgjatë këtyre katër viteve, kemi planifikuar me mençuri dhe kemi realizuar me zemër.”
Kryeministri Kurti tha se atyre që përçanin dikur popullin u ka rënë zilja dhe janë jashtë garës. Ndërkaq ne po e bashkojmë popullin në lëvizje, po qeverisim me ta e për ta, cep më cep Republikës.