Tubimi në Therandë-Cep më Cep 118
Theranda cep më cep për numrin 118
Në Therandën e punëtorëve fisnik dhe bujqve të ndershëm, të kulturës e patriotizmit, në Therandën e pendës, të bukës, të këngës e të pushkës, në tubimin e jashtëzakonshëm që konfirmoi se Theranda është pjesë e pandashme e fitores së 500 mijë zemrave që rrahin si një, anembanë e cep më cep Kosovës për numrin 118.
Në nisje të këtij tubimi, Kryetari i Qendrës në Therandë, Jetmir Durmishi i uroi mirëseardhje kryeministrit Albin Kurti, në Therandën e tokës së njerëzve punëtorë e bujarë, në vendin e ndërmarrësve që kalojnë kufijtë e kontinentit, në vendin ku mërgata është më shumë se lidhje me atdheun, në qytetin e klubeve sportive dhe në vendin e tokës pjellore.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci në fjalën e saj të këtij tubimi paraqiti investimet që janë bërë në Therandë nga Ministria e Arsimit, duke theksuar se aty janë investuar mbi 5 milionë euro në përmirësimin e infrastrukturës shkollore, në salla e pajisje sportive, kabinete, laboratore, inventare për shkollat dhe kopshtet, duke nënvizuar përfundimin e çerdhes në Therandë me kapacitetin për 160 fëmijë.
“Kryeministri Kurti tashmë ka shpallur vitin 2025 si vit i gruas, andaj më 9 shkurt votojmë për një qeveri që ju çmon dhe ju vlerëson, që ua njeh mundin dhe punën, që e kupton forcën e madhe të grave dhe vajzave, kapcaitetin e tyre, vlerat e jashtëzakonshme që gratë sjellin në progresin ekonomik dhe shoqëror”, tha ministrja Nagavci teksa iu drejtua grave e vajzave të Therandës dhe të gjithë Kosovës.
“Nuk po mund të kthehemi në Prishtinë aq kollaj, për shkak të kësaj mikpritjeje kaq të përzemërt për koalicionin tonë të LËVIZJES VETËVENDOSJE! me partinë Guxo e me partinë Alternativa”, tha kryeministri Albin Kurti në hapje të fjalës së tij përballë qytetarëve të Therandës, që ishin aq entuziastë e të zëshëm për fitoren e madhe të 9 shkurtit.
Duke vazhduar fjalën e tij, kryeministri Kurti u shpreh se koalicioni ynë është rritur, e tash në vitin 2025 jemi më të mëdhenj se kurrë më parë e sa askush tjetër, andaj fitoren e kemi të sigurtë më 9 shkurt, me numrin 118, që do të jetë fitorja rekord dhe historike, fitorja më e madhe e parë ndonjëherë.
“Gati 10 milionë euro kemi ndarë me subvencione dhe grante për më shumë se 4600 bujq e fermerë këtu në Therandë, kemi investuar 400 mijë euro për sistemin e ujitjes dhe të pijes në Komunën e Therandës, kemi 320 të rinj të punësuar nga platforma Superpuna, me programin Superpuna për Gratë që do të vazhdojë në mandatin e radhës dhe pagën minimale që do ta bëjmë mbi 500 euro, kemi patur mbi 13 milionë euro investime në infrastrukturë për Therandën. Kjo komunë do të bëhet edhe me autostradë të re edhe me digë të re, që sigurojnë edhe qëndrueshmëri edhe zhvillim”, tha kryeministri Kurti duke numëruar disa nga punët që janë bërë e do të bëhen në mandatin e ardhshëm, nga të cilat kanë përfituar dhe do të përfitojnë edhe në vazhdim qytetarët e Therandës.
Në vijim të kësaj, kryeministri Albin Kurti theksoi se mbi 88.5% e buxhetit të Komunës së Therandës është grant qeveritar i Republikës së Kosovës, sepse qeveria e LËVIZJES! VETËVENDOSJE nuk diskriminon komuna, pavarësisht se kush i qeveris ato, sepse ne i duam pa kushte e pa rezervë therandasit dhe qytetarët e Republikës.
Kryeministri Kurti tha edhe se kemi zhvilluar dialog shumë të suksesshëm në Bruksel: “Atje në Bruksel ata vazhdimisht më bëjnë presion me nënshkrimet e pararendësve të m’i Mustafa e Thaçi, a marrëveshjes me mua i ikin se s’duan të nënshkruajnë. Kur të gjitha ish-qeveritë po e zhvillonin dikur dialogun në Bruksel, kishim Serbi që forcohej e Kosovë jostabile që dobësohej. Me qeverinë tonë dhe dialogun që udhëheqim ne, kemi Serbi jostabile dhe Kosovë që po ngrihet e po forcohet. Juve ju kujtohet se si dikur në Kosovë kryeministrat jepnin dorëheqje, e tash kryeministrat po japin dorëheqje në Serbi.”
“Tash jemi para një referendumi të ri, para referendumit të 9 shkurtit ku ju duhet ta gjykoni pozitivisht qeverisjen tonë, t’i ndëshkoni me votë ata që nuk duhet të kthehen kurrë më në pushtet dhe të na jepni lejen për zotimin tonë, që ne t’ju shërbejmë për programin e ri qeveritar, me ato 25 premtimet tona dhe në këto katër vite Kosova të ngrihet në çdo aspekt. Numri 118 është numri me të cilin juve thoni ‘Po’ në referendum”, tha kryeministri Albin Kurti duke përmbyllur tubimin e jashtëzakonshëm në Therandë, pjesë e rrugëtimit të 500 mijë zemrave, të fitores së 9 shkurtit me numrin 118.