29 01 2019

Universiteti – Projektligji për Arsimin e lartë nuk përmbush qëllimin

Lëvizja VETËVENDOSJE! angazhohet për transformim të arsimit të lartë në Kosovë ashtu që arsimi të jetë në funksion të prodhimit të dijes dhe zhvillimit të vendit.

Ndaj sot në Kuvend, Komiteti për Arsim dhe Kërkim shkencor dhe GP parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! ftuan në debat profesorë, studiues e studentë lidhur me Projektligjin për arsimin e lartë që po shqyrtohet në Kuvendin e Kosovës.

Drejtuesi i Grupit Parlamentar Glauk Konjufca, Kryetari i komisionit për arsim, Ismajl Kurteshi dhe deputetja Arbërie Nagavci morën vërejtjet e kritikat e të ftuarve mbi projektligjin e hartuar nga qeveria, duke u ndaluar në secilin kapitull e fushë që mbulon projektligji.

Ismajl Kurteshi kujtoi bllokimin e këtij projektligji në tentativën e parë më 2015 ku Lista Serbe bllokoi kalimin në qeveri për shkak të universitetit paralel në veri të Mitrovicës. Problem i cili nuk është adresuar siç duhet as në projekligjin e ri. Deputeti Kurteshi nënvizoi çështjet e financimit të universiteteve dhe përsëriti bindjen e Lëvizjes, që është dhe programi ynë, se arsimi i lartë publik duhet të jetë i garantuar pa pagesë tarifore për studentët.

Profesorët e studiuesit e pranishëm analizuan në hollësi çka projektligji mëton të rregollojë e çka në realitet ndodh brenda pushtetit jo shpesh arbitrar të universiteteve publike. Kështu u vu re se kriteret për akreditimin e universiteteve janë të ndryshme për kolegjet private nga ato për fakultetet publike. Projektligji lë hapësira për abuzime sa i përket ndryshimit të statusit të universiteteve. Sistemi i arsimit të lartë nuk shihet si një sistem i unifikuar në nivel shteti e aq më pak në nivel kombëtar.

Autonomia e universiteteve dhe avancimet akademike vijojnë të jenë tehu ku priten përpjekjet e pushtetit për kontroll jo administrativ e financiar, por për diktat të punësimeve e pozitave. Specifikimet e kësaj autonomie mungojnë dhe liria akademike cungohet në shumë momente. Siç konstatoi dhe prof. Shala se “ligji synon kontroll politik dhe jo mbikqyrje publike”.

Për cilësinë e mësimdhënies, përgatitjet e trupës akademike dhe kërkimin shkencor, projektligji nuk ka një strategji të mirëmenduar për standardet, skanimin dhe garantimin e rezultateve të dëshiruara për këto aspekte.

Në përmbyllje të tryezës, deputetja Arbërie Nagavci listoi temat e trajtuara si mëposhtë:
1. Shihet si i domosdoshëm një redaktim dhe një riformulim i ligjit nga pikëpamja gjuhësore dhe kuptimore. Nga detajimi i gjerë i tij vërehet një mungesë fleksibiliteti;
2. Projektligji nuk e shmang kontrollin partiak;
3. Projektligji bie në kundërshti me rregullime të tjera ligjore në fuqi;
4. Projektligji cënon parimin e mosdiskriminimit;
5. Nuk ka kritere të qarta për vlerësimin dhe avancimin e statusit të akademikut;
6. Nuk ka kritere të qarta për cilësinë e arsimit të lartë;
7. Diskutimi nxorri disa ide të reja si: vetting-u i stafit akademik dhe ndërkombëtarizimi i arsimit tonë të lartë në sinkron me arsimin jashtë vendit.

Projektligji pritet të shqyrtohet në seancën e datës 30 janar në leximin e parë. Pas kësaj seance Deputetët tanë do të vijojnë të krijojnë kushte për debatin mbi secilin kapitull të ligjit dhe në seancë do të paraqesin të gjitha vërejtjet e paraqitura në debatin me profesorët dhe studentët.

Projektligji mund të gjendet në:

http://ligjet.kuvendikosoves.org/…/Draf…\

Kontribo