Vijon java II, në vitin e dymbëdhjetë të Shkollës Politike në Lëvizjen VETËVENDOSJE!
Po vazhdon programi për në dy nivelet e shkollës politike të Lëvizjes.
Këtë javë në nivelin politiko-organizativ u mbajtën ligjëratat mbi historinë dhe teoritë e feminizmit.
Nazlie Bala në Prishtinë e Agnesë Kastrati në Ferizaj, paraqitën disa nga tezat kryesore të feminizmit të majtë. Dallimet ideologjike, ato doktrinore si dhe personazhet kryesore që e kanë emërtuar këtë histori të mëdha të përpjekjes dhe sakrificave të jashtëzakonshme.
Në ligjërata u paraqitën çështja e gruas, historiku mbi lëvizjet feministe në botë, lëvizja në Kosovë, Valët e feminizmit dhe çështjet që lëvizjet feministe patën në qendër të angazhimit mbi situatat politiko-shoqërore që nxitën e formësuan aktivizmin feminist.
Po ashtu ligjërueset paraqitën dhe angazhimin e grave shqiptare si pjesë kruciale e luftës së UÇK-së e veçanërisht e organizatave ilegale që vepruan në Kosovë dhe i paraprinë luftës.
Në Nivelin Teorik, profesor Gent Carrabregu vijoi ligjëratat në kursin e Logjikës formale. U paraqitën përveç koncepteve themelore dhe shembuj e ushtrime të silogjizmave aristotelian.
Ndërsa në kuadër të ligjëratave mbi shkencat politike, profesor Armend Mazreku ligjëroi mbi teoritë e liberalizmit si një nga shkollat e mëdha të mendimit politik e shoqëror. Si dhe mbi filozofët anglezë që e themeluan dhe përfaqësojnë këtë shkollë si Thomas Hobbes e John Locke. I pari paraprirës i liberalizmit dhe i dyti themelues i liberalizimit.
U diskutua gjatë ligjëratës mbi ato që ende sot i kemi të trashëguara në sistemet tona të demokracisë liberale përfaqësuese, kontratën sociale, teoritë e qeverisjes liberale, si dhe konceptet themelore të të drejtave të individuale, atyre pronësore, konceptin e ndarjes së pushteteve.
Shkolla politike e Lëvizjes vijon javën e ardhshme me ligjërata në të dyja nivelet e saj.
Shkolla Politike
Lëvizja VETËVENDOSJE!