30 12 2014

Viti 2014 i ka dhënë të drejtë VETËVENDOSJE!-s si asnjë vit tjetër

Viti 2014 i ka dhënë të drejtë VETËVENDOSJE!-s si asnjë vit tjetër. Le të ndalemi vetëm në tri çështje kryesore. E para, thoshin VETËVENDOSJE! e ka gjuhën e ashpër. Prej që ka folur ambasadorja amerikane, asnjëri më nuk po na thotë VETËVENDOSJE!-a e ka gjuhën e ashpër. Na thoshin që VETËVENDOSJE!-a është ekskluzive dhe nuk bashkëpunon me askënd tejtër. Mirëpo, jemi përpjekur me mish e me shpirt, me gjithë kapacitetin tonë fizik, intelektual, politik e moral që ta bashkojmë opozitën kundër partisë shtet dhe kemi dëshmuar që VETËVENDOSJE! nuk është ajo e cila është ekskluzive, por ka të tjerë të cilët janë opozitë e rrejshme. Dhe në vitin 2014 kemi arritur një fitore të madhe: ka marrë fund opozita e rrejshme. Dhe, çështja e tretë është ankesa e të tjerëve për kritikat tona ndaj misioneve ndërkombëtare. Ne asnjëherë nuk e kemi bërë këtë për hir të kundërshtimit apo kritikës, por duhet theksuar që ankesat ndaj VETËVENDOSJE!-s tashmë kanë pushuar. Dhe, kjo është një fitore tjetër e vitit 2014. Pasi që ish-ambasadori amerikan Dell përfundoi në listë të rrogave të Bechtel-it dhe pasi që shpërtheu skandali i korrupsionit në majat e EULEX-it te gjykatësit e saj duhet të jesh fort naiv që të besosh se të huajt na nxjerrin nga kriza apo na sjellin drejtësi. Edhe njëherë u dëshmua VETËVENDOSJE!-a në kritikën e saj të drejtë ka pasur të drejtë.

Problemet kryesore të Kosovës po barten nga viti 2014 në vitin 2015, ashtu siç u kopjua buxheti i shtetit prej një qeverie në tjetrën, që nuk janë realisht as qeveri as të tjera.

Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka të qartë se kjo është një qeverisje për mision të vjetër, në të cilën edhe në vitin 2015 mbesim me struktura të Serbisë në çerekun e territorit e pa Mitrovicë të bashkuar, me varfëri e papunësi, e pa ekonomi prodhuese. Mirëpo, ne nuk kemi iluzione. Nuk mund të presim që kjo të ndryshohet nga PDK-ja e LDK-ja, që u bënë bashkë për shkak se u dobësuan dhe u bënë bashkë për shkak të dobësisë. Dhe, ky bashkim i tyre, do t’i dobësojë edhe më tej. Prandaj, viti 2015 do të jetë vit i forcimit të opozitës çfare s’ka parë Kosova e pasluftës dhe i dobësimit të Qeverisë deri në rrëzimin e tyre.

Ne nuk mund të kemi shpresa te këto parti sepse ato shpresa do të ishin iluzione. Dhe këtë gjë na e kanë dëshmuar e na e kanë vërtetuar vetë ata. Pra, bëhet fjalë për politikanë, krerë partishë që e kanë bishtin e zënë me derë. E njerëzit të cilët e kanë bishtin të zënë me derë edhe kur t’ua përmendësh dritaren mendjen e kanë te dera, sepse bishtin e kanë të zënë me derë. Por, shtegu në të cilin ata kanë hyrë është një shteg në të cilin ose do të dalin nga dera ose do t’i nxjerrim nga dritarja. Zgjedhja është e tyre e puna është e jona.

Sot në botë ka shtete që janë të shtrira përdhe, ka shtete që janë në gjunjë dhe jo shumë shtete qëndrojnë në këmbë. Prej këtyre shteteve që janë të shtrira përdhe disa zvarriten ngadalë e disa dergjen në vend. Qeverisja e PDK-së me LDK-në është diku në mes të të shtririt përdhe, midis zvarritjes së ngadaltë dhe dergjjes në vend, duke lëvizur prej mesit kah dergjja. Dhe kjo duhet të jetë një motiv shtesë i yni që Kosovën ashtu qysh është përdhe ta ngrisim në gjunjë, në mënyrë që ta ngrisim në këmbë dhe ta kemi një shtet ashtu siç e meriton dhe i takon edhe popullit të Kosovës, edhe shoqërisë kosovare, edhe kombit shqiptar në përgjithësi.

Në vitin 2015 ne si Lëvizje VETËVENDOSJE! do t’i bëjmë 10 vjet. Para gati 10 vjetëve kur e filluam Lëvizjen VETËVENDOSJE! shumë shpejt u bëmë opozita kryesore kundër sistemit. Tash pas gati 10 vjetëve jemi bërë edhe opozita kryesore brenda sistemit. Nuk e kemi më opozitën e rrejshme si paravan midis nesh dhe regjimit, i cili edhe na zë udhën e qe besa edhe na e mbyllë shikimin. Pra, Lëvizja VETËVENDOSJE! sot është opozita kryesore, është opozita prijëse, për shumëçka është opozita e vetme, edhe jashtë sistemit edhe brenda sistemit.

Me organizatën tonë punëtore në terren, me qeverisjen e drejtë në komunë, me Grupin e mençur e të ditur parlamentar në Kuvend, Lëvizja VETËVENDOSJE! është e vetmja që do ta luftojë krimin e korrupsionin derisa ky krim e korrupsion të bie bashkë me regjimin. Ne jemi ata që do ta riaktualizojmë parullën e moçme kryengritëse: “Paqe kasolleve e luftë pallateve”!. Sepse e vetmja mundësi që ky popull të ngritet në këmbë është që njëherë e përgjithmonë t’i bëjmë bashkë të varfrit dhe të pasuruarit e pandershëm nëpërmjet pushtetit e politikës të marrin fund dhe të përfundojnë aty ku e kanë vendin, në burg, prapa grilave, sepse nuk duhet izoluar shoqëria prej përparimit por duhet të izolohen kriminelët prej shoqërisë.

Shqiptarët në përgjithësi i kanë humbur ëndrrat sepse kanë tepër shumë iluzione. Mirëpo, kur i humbë iluzionet nuk e fiton realitetin. Kur i humbë iluzionet pikërisht i fiton ëndrrat. Sepse pa ëndërr nuk ka realitet. Viti 2015 është viti përfundimtar i humbjes së iluzioneve, atëherë kur qytetarët e Kosovës dhe shqiptarët në përgjithësi do ta rifitojnë ëndrrën e tyre e do ta fitojnë realitetin për vete.

Unë do t’i kisha falënderuar edhe kundërshtarët tanë. Kundërshtarët tanë na kanë kundërshtuar shumë. Dhe, mos më keqkuptoni, me kundërshtarët ne jemi në luftë. Ata na kundërshtojnë, ne i luftojmë. Mirëpo, duhet t’ua japim një mirënjohje sot, dhe jo vetëm sot. E kjo është për shkak se të gjithë kundërshtarët na kanë sulmuar meqenëse kanë besuar në fitoren tonë. Nuk na kishin sulmuar po të besonin që nuk fitojmë. Arsyeja themelore pse kundërshtarët neve na sulmojnë është për shkak se ata besojnë që Lëvizja VETËVENDOSJE! një ditë do të fitojë dhe ata nuk e duan këtë ditë. Pra, ata me sulmet e tyre na e kanë shprehur neve besimin në fitoren tonë. Prandaj, unë kërkoj nga të gjithë ju një duartrokitje për kundërshtarët tanë që na kanë sulmuar çdo ditë të vitit 2014. Por, këtyre kundërshtarëve tanë ne duhet t’iu falënderohemi edhe për një gjë tjetër. Sepse ata neve na kanë kalitur. Besoni, po mos të na luftonin, po mos të na sulmonin kundërshtarët tanë, ne do të kishim menduar më pak, do të kishim vepruar më pak, do të kishim punuar më pak. Prandaj, këtu ka një lëvizje të qartë dialektike, ku kundërshtarët tanë duke na sulmuar neve shprehin besimin e tyre në fitoren tonë, rrugës sonë të vështirë na kalisin, në mënyrë që të gjitha sfidat sado të vështira ne t’i kalojmë me sukses.

Ky regjim vitin 2015 nuk mund ta bëjë vit të ri. Vitin 2015 mund ta bëjë vit të ri Lëvizja VETËVENDOSJE!. Ne mundemi, ne duhet dhe ne do ta bëjmë vitin 2015 vit të ri. Prandaj, urime e gëzuar të gjithëve!

( Albin Kurti, 30 dhjetor 2014 )

Kontribo