Vizitë në fshatin Mushnikovë.
Albin Kurti me deputetë, zyrtarë e asambleistë të Prizrenit, vizitoi fshatin Mushnikovë
Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, së bashku me deputetët Drita Millaku, Arbër Rexhaj, Kryetarin e Qendrës së Prizrenit dhe Kryesuesin e Kuvendit Komunal, Artan Abrashi, drejtorin për siguri dhe emergjenca, Faruk Dakaj dhe asambleistët Karanfil Haxhillari e Adem Shabanaj, vizitoi fshatin Mushnikovë, ku mbajti tubim me banorët e fshatit.
Tubimin e hapi Artan Abrashi, i cili tha se Komuna e Prizrenit i mban premtimet edhe pas fushatës edhe me vet faktin që vjen në tubime sa herë që banorët e kërkojnë këtë. Ai tregoi se Komuna e Prizrenit tash më e ka siguruar transportin për nxënësit e fshatit, deri sa e adresoi problemin e ndërtimit të hidrocentraleve në Lumbardh, me ç’rast u premtoi banorëve se Komuna e Prizrenit nuk do të japë leje për ndërtimin e tyre, por do të veprojë konform interesit të banorëve.
Kryetari, Albin Kurti në fjalën e tij shprehu kënaqësinë e tij që në një vjetorin e fitores në balotazh në Prizren gjindet në Mushnikovë, fshat ky që u bë pjesë e ndryshimit të madh në Prizren.
Duke folur për situatën politike dhe ekonomike në Kosovë, ai tha se vendi i ka problem keqqeverisjen brenda e cila po e gërryen buxhetin dhe pasuritë, si dhe aventurën personale dhe të rrezikshme të presidentit të shantazhuar.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka parësor sovranitetin me integritet institutional e territorial dhe zhvillimin ekonomik me prodhim e punësim. Ai përmendi Fondin Sovran ku ristrukturohen ndërmarrjet publike e shoqërore dhe Bankën Zhvillimore si dy projekte të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për rimëkëmbjen e ekonomisë.
Tubimin e përshëndetën poashtu edhe deputetët Drita Millaku dhe Arbër Rexhaj, të cilët falenderuan banorët dhe premtuan kontakte të shpeshta e komunikim me ta.