13 11 2018

Vizitë në “Loyola Gimnasium” dhe në Shoqatën Humanitare “Jetimët e Ballkanit”

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, dhe Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, vizituan shkollën “Loyola Gimnasium” në Prizren, me ç’rast nga drejtori i shkollës, Axel Bödefeld, u njoftuan për procesin mësimor në këtë shkollë, e cila i ka rreth 1100 nxënës, nga ta 350 në shkollës fillore dhe 750 në atë të mesme, si dhe projektin pararsimor “Loyola Transit” për integrimin e fëmijëve të komunitetit ashkali e rom, të cilët mësohen nga 110 mësues dhe arsimtarë gjithsej.

Kryetari Albin Kurti përgëzoi personelin e shkollës për punën e deritashme, edukimin cilësor dhe suksesin e arritur, duke vlerësuar se në këtë shkollë po arsimohen nxënësit, të cilëve po u jipet edhe dije edhe edukim. Ai theksoi se pa arsim cilësor nuk ka as zhvillim ekonomik dhe as mirëqenie shoqërore.

Në vazhdim të vizitës në Prizren, Kryetari i Lëvizjes Kurti dhe Kryetari i Komunës Haskuka vizituan edhe Shoqatën Humanitare “Jetimët e Ballkanit” , ku nga themeluesi i saj, Halil Kastrati u njoftuan se kjo shoqatë deri më tash i ka strehuar 200 familje, ndërkaq në gjelltoren e saj rregullisht ushqehen 309 persona. Albin Kurti e inkurajoi z. Kastrati të vazhdojë me punën e bamirësisë që po bën dhe i ofroi bashkëpunim të vazhdueshëm, ngjajshëm si marrëveshja me Komunën e Prizrenit për ndërtimin e 28 shtëpive, çelësat e të cilave do të shpërndahen më 28 nëntor.

Kontribo