Vizitë në Shtëpinë Shkollë të familjes Hertica
Në Shtëpinë Shkollë të familjes Hertica, sot në 13 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, ishin për vizitë kryeministri në ardhje, Albin Kurti, dhe presidentja, Vjosa Osmani. Bashkë me kandidatët tanë për deputetë, Arbërie Nagavci, Arben Vitia, Fitore Pacolli, Saranda Bogujevci, Shenaj Shala, Albana Xharra, dhe Faton Peci, ata u mirëpritën nga Baca Mehmet Aliu dhe ish Drejtori Avdyl Gashi.
Shtëpia 3 katëshe me 10 dhoma mësimi e familjes Hertica ishte infrastrukturë për zhvillimin e arsimit që si e drejtë dhe mundësi iu mohohej shqiptarëve në Kosovë gjatë fundviteve të 80’ta e fillimviteve të 90’ta. Me 3 ndërrime, në këtë shtëpi ndoqën mësimin 30 klase, por edhe shumë grupe të tjera si ai i dramës, grupi letrar, grupi i gazetarëve, i korrit, i valleve, i muzikës etj. Kjo shkollë e ofruar nga z. Mehmet Aliu, u sulmua me datë 30 mars 1999 nga forcat serbe që hasën në rezistencë të armatosur e detyruan të tërhiqen. Ata e dogjën këtë shtëpi dhe disa përreth, por nuk e ndalën dot zellin e përkushtimin e lartë të mësimdhënësve dhe nxënësve që kishin këmbëngulur ta vazhdojnë mësimin.
Sot, i kujtojmë dhe nuk i harrojmë këto objekte që shërbyen si shkolla në kohë të okupimit. Është detyrë e jona që duke bartur kujtesën e një vështirësie të tillë dikur, t’iu shërbejmë shkollave, ngritjes së cilësisë në arsim, dhe të kujdesemi si për nderin e punën e mësimdhënësve ashtu edhe për dijen e nxënësve tanë.