20 10 2019

Vizitë në Zyrën për Punë të Jashtme të Qeverisë Britanike.

Sot pasdite kryetari Albin Kurti i shoqëruar nga deputetet Fitore Pacolli dhe Saranda Bogujevci vizituan Zyrën për Punë Jashtme të Qeverisë Britanike.

Kryetari Kurti u prit nga z. Andrew Page, kryesuesi i Departamentit për Ballkanin Perëndimor, znj. Lamce Domm, nënkryetare e departamentit për Ballkanin Perëndimor, znj. Catherine Barnes, kryesuese e sektorit për Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, znj. Helen Walker, kryesuese e sektorit për Serbi dhe Mal të Zi, znj. Lisa Farrington zyrtare përgjegjëse për Serbi, znj. Elise Nelson zyrtare përgjegjëse për Kosovë, znj. Rachel Chetham, kryesuese e zyrës për Siguri dhe Luftimin e Krimit të Organizuar, znj. Gemma Warren, kryesuese e sektorit për marrëdhenie të jashtme dhe shumëpalëshe.

Z. Page shprehu interesim të kuptojë prioritetet e qeverisë së ardhshme dhe për mënyrat e bashkëpunimit dhe përkrahjes që mund të na ofroj Britania e Madhe në realizimin e tyre. Kryetari Kurti prezantoi zotimet dhe hapat e menjëhershëm që do të ndërmarrë qeveria e re duke veçuar reformën në sistemin e drejtësisë dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformat në sistemin e edukimit dhe ndërlidhjen e arsimit me ekonominë, kthimin e trurit, dhe themelimin e fondit sovran e të bankës për zhvillimore në vend.

Z. Page deklaroi se është i gatshëm të thellojë bashkëpunimin me qeverinë e re dhe të ndihmojë e të ofrojë ekspertizën e Britanisë në fushën e drejtësisë, në veçanti në fushën e konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme, në fushën e reformimit të kurikulave dhe përmirësimin e edukimit primar dhe sekondar.

Kontribo