12 06 2021

Vlerat social demokrate dhe politikat lokale

Përgjatë këtij vikendi, Lëvizja VETËVENDOSJE! në bashkëpunim me organizatat FES dhe NDI, kanë organizuar punëtorinë dy ditore për trajnimin rreth identifikimit te politikave lokale me aktivistët e Qendrave tona.

Në të gjitha Qendrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kosovë kemi ngritur nga një trupë organizative e profesionale e cila bashkë me komunitetin në secilën zonë, do të merret me skanimin e problematikave me të cilat përballen qytetarët në secilën komunë. Si dhe, zgjidhjet për të njëjtat, do të janë pjesë e alternativave dhe platformave tona zgjedhore që do të ofrojmë për qeverisjen e mirë edhe në nivel lokal.

Në këtë punëtori, me nga një fjalë rasti të pranishmëve ju është drejtuar edhe kryeministri, njëherësh kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, ministri i Shëndetësisë, njëherësh kryetari i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë, Arben Vitia, dhe Eva Ellereit, drejtoresha e FES. Gjithashtu edhe trupa koordinuese e këtij projekti në kuadër të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, e përbërë nga deputetja Fitore Pacolli, Koordinatori i Qendrave, Valon Hoti, përfaqësuesi ynë në KQZ, Alim Rama dhe sekretari i Qendrës së Prishtinës, Egzon Azemi.

Fjala e plotë e kryeministrit dhe njëherit kryetarit të LV-së, Albin Kurti:

Të dashur aktivistë, të nderuar përfaqësues të NDI dhe FES,

Përgjatë historisë pandemitë shëndetësore, krizat ekonomike, katastrofat natyrore dhe ato njerëzore kanë formësuar planifikimin dhe konfigurimin urban të qyteteve. Krizat kanë nxitur evoluimin e qyteteve për të zgjidhur problemet me sanitari, higjenë, shëndetësi, strehim, ngrohje, transport e të tjera. Në shekullin XIX përhapja e kolerës nxiti transformimin e metropoleve si Nju Jorku, Londra, Parisi por edhe shumë qytete tjera. Ato investuan në infrastrukturën hidrosanitare dhe i bënë qytetet më të pastra, më të ndritshme, me bulevarde e hapësira publike të gjelbëruara.

Ngjashëm, por nga një dimension tjetër, pandemia Covid-19 ka detyruar botën të rimendoj kahjen e zhvillimit që qytetet duhet të ndjekin. Pandemia vuri në pah mangësitë në sistemet shëndetësore dhe arsimore, në sistemet e transportit dhe hapësirat publike, ekonomitë urbane dhe pabarazitë sociale që ekzistojnë brenda dhe mes qyteteve.

Përderisa ne po flasim, qytetet në shtetet e zhvilluara po ndryshojnë në një shkallë të paprecedent. Tani kemi një rikthim te rëndësia e lagjeve ku shërbimet publike, çerdhja për fëmijët, shkolla për nxënësit, hapësirat rekreative e qendrat inovative mund të arrihen në këmbë, me biçikletë apo me mjete tjera motorike ekologjike. Po ndodh një zhvendosje drejt krijimit të hapësirave pubike aktive, të jetueshme, sociale e gjithëpërfshirëse.

Edhe qytetet tona janë formësuar e kanë evoluar si rezultat i periudhave të ndryshme historike. Lufta e fundit dhe zhvendosja e madhe e qytetarëve nga fshatrat në qytete, papunësia e varfëria, urbanizimi i paplanifikuar e korrupsioni, janë vetëm disa zhvillime të rëndësishme ndikimet e të cilave në qytetet tona mund t’i perceptoni por edhe t’i përjetoni.

Covid-19 shpërfaqi problemet e mëdha që kanë trashëguar qytetet tona, duke filluar nga pabarazia e thellë në zonat rurale e urbane, te mungesa e qasjes në ujë të pijes, mungesa e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza dhe keqmenaxhimi i mbeturinave, nga mungesa e transportit publik të integruar te hapësirat publike të uzurpuara.

Pandemia, përkundër dëmeve në njerëz dhe në ekonomi, na ka ofruar mundësinë që të rimendojmë mënyrat e organizimit dhe zhvillimit të qyteteve tona. Pra, neve na bie barra që të ndërtojmë qytetet e së ardhmes dhe të gjeneratave që do të vijnë pas nesh.

Qyteti është shumë më afër qytetarëve sesa që është shteti. Aty mund të adresohen problemet ku nuk depërton dot shteti. Qytetet janë më shumë se infratrukturë e banim, transport e shërbime publike. Ato nxisin dhe realizojnë ëndrrat, përfaqësojnë aspiratat dhe shpresat e gjeneratave.

Vizioni ynë për qytetet e së ardhmes është të ndërtojmë qytete të drejta apo “just cities”, qytete gjithëpërfshirëse, solidare, të sigurta, të gjelbra, dhe me qasje të barabartë në shërbime publike e me mundësi për të gjithë. Qytete që sigurojnë mirëqenie sociale, shërbime shëndetësore, edukim dhe strehim.

Ju të gjithë që jeni pjesë e kësaj punëtorie jeni përzgjedhur nga Qendrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE! prej nga vini. Mësimet dhe aftësitë që do t’i zhvilloni nga këto trajnime janë tejet të rëndësishme. Angazhimi i juaj dhe aplikimi i njohurive në punën që do të bëni pastaj në organizatë dhe në terren përcaktojnë razultatet tona në komunat ku ne synojmë t’i fitojmë zgjedhjet. Prandaj, ju sot duhet të jeni shumë të përqëndruar e të mos hezitoni të pyesni sa më shumë që të kuptoni sa më mirë ato që sot ju prezantohen.

Ju sot filloni punën për të kurorëzuar atë në ditën kur festojmë fitoret tona në qytetet e përbashkëta. Ju falemnderit.

Kontribo