Vushtrria cep më cep për Vetëvendosjen – Fjala e Kryeministrit Kurti në sheshin e Vushtrrisë
Najkush ka menduar që ndoshta nuk mund të qëndrojmë në shi, por ne i gëzohemi edhe shiut,
sepse jemi këtu në Vushtrri. Vushtrria është toka pjellore për bujqësi, është fabrika punëtore për
industri, Vushtrria është ura për kulturën, Vushtrria është vatër e ngrohtë për miqtë, dhe
Vushtrria është kala e pa mposhtur për armiqtë.
Të dashur qytetarë të Vushtrrisë që jeni mbledhur sonte këtu, unë në mandatin e ardhshëm,
bashkë me kabinetin qeveritar dhe mazhorancën tonë, legjislaturën e nëntë, atëherë kur do të
kemi edhe më shumë ulëse në Kuvend, sepse kësaj rradhe janë 500 mijë vota, gjysmë milioni
zemra që me datën 9 shkurt dalin, shpërthejnë prej kutive dhe realizojnë fitoren më të madhe
historike, rekord e të pa parë në Kosovën jo vetëm të pavarur, por edhe të çliruar.
E në këtë mandat të ardhshëm, pas 9 shkurtit, bashkarisht, një nga një, do t’i realizojmë zotimet
tona të reja, përveçse do t’i vazhdojmë punët tona të mbara e të mira të këtij mandati.
Kësisoj, le t’ja fillojmë me programin “Gjenerata për gjeneratë”, që nënkupton 100 euro shtesë
mbi pensionin ekzistues, për gjeneratën e pleqve tanë, gjysheve dhe gjyshërve, që do të kujdesen
për fëmijët prej moshës 1-3 vjeç, kur të dy prindërit t’ju punojnë atyre; që do të thotë që të dy
prindërit duhet t’ju punojnë sepse shteti do t’i mbështesë fëmijët me çerdhe të reja, por edhe
brenda çerdheve familjare, duke ua dhënë nga 100 euro në muaj të gjitha gjysheve dhe gjyshëve,
cep më cep, Republikës së Kosovës.
Pastaj, programi “Super-Puna” për gratë, kudo që punësohen gratë nëpër ndërmarrjet private, ne
do t’ia japim për 6 muaj shtesë nivelin e pagës minimale, që është 350 euro aktualisht. Ka qenë
130-170 euro, dhe në mandatin e ardhshëm do ta bëjmë mbi 500 euro pagën minimale.
Përveç spitalit në Ferizaj, do ta ndërtojmë edhe spitalin e ri në Mitrovicë, dhe deri në 100 milion
euro buxhet për listën e barnave esenciale. Në vitin 2021 i kemi gjetur 24 milionë euro, dhe në
mandatin tonë që po i vjen fundi tani, e kemi bërë 70 milionë. Në mandatin tonë të ardhshëm,
100 milion euro për listën e barnave esenciale në shtetin tonë.
Do ta kemi programin e mobilitetiti për studentët, i cili i mbështet studentët në nevojë çdo muaj,
pavarësisht nga distanca ku studiojnë. Sa më larg që studion një studente apo një student prej
vendbanimit, vendlindjes së tij, aq më shumë do ta mbështesim si shtet. Gjithashtu, do të ketë
bursa edhe për studentët që vijojnë studimet në shkollimin universitar jopublik, pra jo vetëm në
Universitetin e Prishtinës e në universitete të tjera publike, por edhe në çdo universitet tjetër.
Sepse nga studentët tanë varet cilësia e punëtorëve tanë në ekonominë tonë.
Do ta fillojmë programin anembanë Kosovës, transportin publik me biletë të unifikuar, 10 euro
transporti urban e ndërurban për të gjithë qytetarët. Pra, për vetëm 10 euro do të mund të
udhëtoni kudo në Kosovë.
Tjetra, 1 miliardë euro mbështetje për investime në kapacitete prodhuese, përmes garantimit të
kredive për investitorët. Gjithashtu, do ta heqim për muajt e parë taksën doganore për veturat nga
Bashkimi Evropian. Pra, që në fillim të mandatit tonë, e heqim atë taksën 10% për veturat nga
BE-ja.
Në mandatin e parë, i kemi mbështetur 120 mijë bujq e fermerë me mbi 300 milion euro për
grante dhe subvencione. Në mandatin e ri do të përqendrohemi në rritjen e produktivitetit dhe
konkurrueshmërisë, përmes mbështetjes së investimeve në teknologji, dhe rrjetëzimit të
mbledhjes dhe shpërndarjes së produkteve bujqësore. Pra, edhe më shumë përkrahje për edhe më
shumë bujq, për edhe më shumë prodhimtari, për edhe më shumë rendiment, për edhe më shumë
eksport. Më shumë bukë në tryezat tona, nga toka jonë.
Në mandatin që po i afrohet fundi, dy vitet e fundit kemi pasur rekord të investimeve kapitale:
561 milionë euro në 2023 dhe 654 milionë euro në vitin që lamë pas, 2024. E në mandatet në
vijim do të kemi, duke filluar nga ky i ardhshmi, së paku 1 miliardë euro shpenzime, investime
kapitale në vit.
E kësisoj, do ta përfundojmë rrugën Prizren-Tetovë, autostradën Prishtinë-Gjilan që shkon deri te
Dheu i Bardhë, dhe do ta përfundojmë edhe rrugën Dollc-Gjakovë, Kijevë-Zahaq, rrugën e
Dukagjinit që lidh Prizrenin-Rahovecin-Gjakovën-Deçanin-Pejën-Istogun, si dhe do të vazhdojë
ndërtimi i rrugëve Deçan-Plavë dhe Pejë-Rrozhajë. E krahas infrastrukturës rrugore, mandati
tjetër do të na gjejë edhe me fillimin e ndërtimit të hekurudhës Prishtinë-Durrës, që do të lidh
portin e thatë të Prishtinës me portin e ri të Durrësit, dhe përveç kësaj, projektimi i linjës
hekurudhore që lidh Prizrenin dhe Ferizajin me Gjilanin dhe Bujanocin. Përveç asaj linje
hekurudhore të rëndësishme që shkon prej jugut në veri, prej veriut në jug, pra Hani i Elezit-
Leshak, Leshak-Han i Elezit, dhe kalon nëpër Mitrovicë dhe Fushë Kosovë.
Do t’i ndërtojmë 5 rezervuare për ujë të pijes, ujitjes dhe industri, Diga e Firajës, e Pollatës,
Kuqicës, e Dragaqinës dhe e Decivojcës, se të dashur qytetarë, Kosova është si një pjatë e kthyer
mbrapsht, ku lumenjtë dalin dhe neve na vyjnë rezervuarë të rinj të ujit, që ta mbajmë ujin
brenda Kosovës, sepse na duhet për pije, na duhet për amvisëri, na duhet për ujitje, na duhet për
industri.
Përveçse 1 miliardë për prodhimin, po ashtu së paku 1 miliardë për ushtrinë. Gjatë këtij mandati
që po e përmbyllim, për mbrojtjen tonë gjithsej i kemi dhënë rreth 630 milionë euro të buxhetit, e
tash nga 630 milionë euro do të kemi rritje mbi 50% në mandatin e ardhshëm, sepse do t’i
kalojmë 1 miliardë euro, me ç’rast edhe do të funksionalizojmë fabrikën e municioneve, për të
cilën tashmë kemi nënshkruar kontratë me kompaninë turke MKE. Gjithashtu, edhe mezi presim
t’i zhvillojmë dronët tanë ushtarake, Made in Kosova.
E të dashur qytetarë të Vushtrrisë, tash po ju shtroj një pyetje: ne kaq shumë po e zhvillojmë,
ndërtojmë, forcojmë ushtrinë tonë, po pyetja është, a thua pse qeveritë para nesh nuk kanë blerë
armatim për ushtrinë tonë? Forca e Sigurisë së Kosovës ka ekzistuar edhe më parë, pse ata nuk
kanë blerë armatim për ushtrinë tonë? Veç dy mundësi janë: ose nuk kanë dashur të blejnë
armatim, ose perëndimorët nuk ua kanë shitur armatimin. Unë nuk e di, a është e para apo është e
dyta, unë në fakt, sikurse ju, e di a është e para a është e dyta, por sonte nuk do të përgjigjem. Po
ju lë të gjith ju të mendoni, pse këta nuk kanë blerë armatim dhe municion për ushtrinë tonë, a
nuk kanë dashur, apo nuk ua kanë shitur?
Vetëm një fakt po ua tregoj: në vitet 2018-2020, as 4 milionë euro këta nuk i kanë shpenzuar për
armatim, ndërkaq ne, nga 2021-2023, mbi 319 milionë euro për bijat dhe bijtë më të mirë
ushtarë, oficerë, nënoficerë të popullit tonë. Kemi blerë drona Bayraktarë luftarakë nga Turqia
për ushtrinë tonë, po ashtu edhe sistemin antitank Amerikan, Javeline dhe skiftera të zi,
helikopterë Black Hawk. Gjithashtu, do t’i kemi pilotët e flotës së Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Drona, helikopterë… po pra, UÇK, sepse forcimi i Ushtrisë tonë është në përputhje, është
besnikëri ndaj idealeve të dëshmorëve, invalidëve e veteranëve të UÇK-së. Faleminderit!
Të dashur qytetarë të Vushtrrisë, me neve u shtua prodhimi i mallrave dhe ranë politikanët e
mallrave. Me neve shteti u bë bankë për qytetarët e jo plaçkë e pushtetarëve, dhe askush këtë nuk
e kupton më mirë se Vushtrria, që është pjesë e rëndësishme e hambarit tonë. Por, a e dini çka, të
nderuar të pranishëm? Ne i kemi disa parti opozitare që kinse i kanë disa kandidatë për
kryeministra. Bile, kur e dinin ata që edhe ju po e dini, që ata nuk mund të kthehen më në
pushtet, njëri prej tyre e solli një ide, ai mendon shumë të mençur, tha: ‘Ne bëhemi, tha,
kryeministra me rotacion.’
Pra, duke e ditur që askush nuk do t’iu besojë, se ata nuk i besojnë as vetes, thanë që e bëjmë me
rotacion. Po ju këtu në Vushtrri e dini më së miri çka bëhet me rotacion. Me rotacion toka
mbillet njëherë patate, pastaj speca vitin e ardhshëm, ajo është rotacion. Ose, nëse janë serra, me
rotacion sallata, lakra, purri, kastraveca – këto janë me rotacion. S’ka kryeministra me rotacion.
Qeveria jonë vazhdon edhe pas 9 shkurtit, sepse në këtë vend ka popull, në këtë vend ka qytetarë
të Republikës. Ne e duam vendin tonë, Kosova Republikë, e jo Kosova klan. Ne jemi ata që e
kemi besuar atë që kemi thënë: I dalim zot atdheut!
Ashtu siç plejadat e dëshmorëve tanë, deri tek Enver Zymberi e Afrim Bunjaku, që
përfundimisht i kallën datën armikut, dhe cep më cep, Republika e Kosovës sot e ka shtetin me
sovranitet e territorin me integritet, e qytetarin me dinjitet, dhe neve me numrin 1-1-8.
Këtu, bashkë me neve, i kemi edhe shumë musafirë që na kanë ardhur nga Maqedonia e Veriut.
E kemi Zëvendëskryeministrin Arben Fetain, e kemi Ministrin e Shëndetësisë Arben Taravarin,
por kemi edhe shumë deputetë të tjerë, të cilët i falënderojmë nga zemra që kanë ardhur nga
Shkupi, Tetova, Kumanova, Gostivari e Struga. E po ashtu, kemi edhe miq që kanë ardhur nga
Novi Pazari, nga Sanxhaku, Amina Nuraj. I falënderoj nga zemra që janë bashkëngjitur sot.
E tash po fillojmë me kandidatët tanë të cilët janë nga Vushtrria: Besim Muzaqi me numër 53,
Fjolla Ujkani me numrin 98, me numrin 89 Nasuf Bejta, me numër 84 Sylejman Meholli.
Më lejoni të përmend edhe disa emra të politikanëve, përfaqësuesve dhe zyrtarëve që na janë
bashkangjitur sonte, përveç atyre që i thashë: Rijad Shaqiri, Mimoza Musa, Halil Snopçe, Sadik
Sylejmani, Salim Sylejmani, e kemi kwtu edhe Valton Limanin kryetarin e komunës së
Gostivarit, pastaj Flakron Bexhetin, Elfete Ismajlin, e shumë të tjerë që edhe njëherë i falënderoj
nga zemra që na janë bashkangjitur këtu në Vushtrrinë e Hasan Prishtinës, në Vushtrrinë e
VETËVENDOSJES!, në Vushtrrinë e fitores më 9 shkurt, për numrin 1-1-8!
Të dashur qytetarë të Vushtrrisë, herët në mëngjes, të dielën më 9 shkurt, dilni i madh e i vogël,
prej 18 deri në 88, a 98, a sa e keni më të moçmin në familje, shkoni bashkë edhe votojeni
numrin 1-1-8, Lëvizja VETËVENDOSJE! Një numër është i hajrit aty! 1-1-8 është numri i
zgjidhjes edhe i zgjedhjes për 4 vjet të mbara e të mira në vijim.
Unë ju falënderoj për këtë mikpritje kaq të zjarrtë në qytetin tuaj e tonë të Vushtrrisë, ku kurrë
nuk e kam parë më të gjallë shtatoren e Hasan Prishtinës, të rrethuar me ata të rinj, me ata fëmijë
të cilëve ju buzëqesh fytyra sepse e dinë që e ardhmja është e ndritshme dhe e sigurt për ata, për
Republikën e Kosovës, dhe për popullin shqiptar.
Faleminderit shumë! Ju dua fort! Do të jemi gjithmonë bashkë me juve dhe pranë juve, dhe mos i
harroni kandidatët tuaj, dhe kësaj radhe do të mund t’i rumbullaksoni 10 veta, pasi ta
rumbullaksoni numrin 1-1-8. Mos u ndalni në çdo shtëpi, në çdo rrugë dhe në çdo lagje, në çdo
fshat të Vushtrrisë dhe më tej, për një fitore rekord të 500 mijë zemrave, të gjysmë milioni
votave për Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe koalicionin e saj, Guxo dhe Alternativen.
Faleminderit shumë! Mirënjohje e thellë nga të gjithë ne, natën e mirë e mirupafshim!