Zgjidhja politike sipas qytetarëve të Pejës
Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Albin Kurti, Koordinatorja e Qendrës së Pejës, Fatmire Mullhaxha – Kollçaku si dhe deputeti Ilir Deda, në rreth dy orë bashkëbisedim me qytetarë të Pejës kanë dëgjuar mendimet dhe ato që ata kanë propozuar si zgjidhje për situatën aktuale politike. Në shumë prej mendimeve të shprehura gjatë këtij tubimi doli se qeveria e re nuk po mund të formohet për shkak se shteti është i kapur dhe se mjetet po shterren një nga një dhe dalëngadalë po vjen koha kur shumica parlamentare duhet të veprojë fuqishëm.
Fatmire Kollçaku potencoi se Lëvizja VETËVENDOSJE! ka pasur rol kyç në pengimin e një të keqeje të madhe që do të ishte qeverisja Thaçi 3. Ajo rikujtoi se shumica parlamentare duhet ta përbëjë qeverinë dhe tashmë kjo shumicë ekziston. Kurse Ilir Deda tha se duhet të synojmë që bashkë të ecim përpara dhe ky rrugëtim duhet të bëhet me Lëvizjen. Qytetarët e pranishëm, kanë pyetur folësit për parimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, dhe bashkëpunimin me bllokun LDK-AAK-Nisma. Kurti tha se “edhe në paçin (këto parti) ngjashmëri të mëdha me PDK-në, ato s’e kanë kapur shtetin. Sipas tij, në zgjedhjet e fundit, nuk ka fituar PDK e Thaçi, por klientelizmi e kapja e shtetit.
Poashtu, Kurti tha se pastërita morale e aktivistit të VETËVENDOSJE!-s nuk është qëllim por mjet. “Edhe kur kemi marrë pjesë në zgjedhje e kemi hyrë në institucione në vitin 2010 na thoshin që kemi shkelur parime. Këta lotë krokodolli për parimet tona janë qesharakë. Veprimet tona janë strategji e pasuruar për qëllimin e njëjtëe brenda konceptit të njëjtë”, tha ai.
Një nga qytetarët e pranishëm në këtë tubim kërkoi nga përfaqësuesit e Lëvizjes VETËVENDOSJE! që të bëhet një strategji alternative për t’iu përgjigjur vendimit të padrejtë të Gjykatës Kushtetuese.
Kurti ndër të tjera përmendi edhe disa arsye se pse është e nevojshme kjo qeveri.”Ne e shohim këtë si qeveri të emergjencës për ta hspëtuar shtetin së jashtmi, e shohim si qeveri të zorit 2+2 vjet së brendshmi, andaj po bashkohemi edhe pa qenë subjekti i parë”, tha ai.
Kurse, lidhur me dialogun që u zhvillua në vitet 2011 deri në 2014 me Serbinë, Kurti tha se ishte dialog sipas kushteve të Serbisë, pasi që Serbia nuk u konsiderua si borxhli ndaj shqiptarëve. Ai shtoi se duhet ndryshuar korniza dhe karakteri i dialogut e jo vetëm akterët e duke e vazhduar atë njësoj.
Pas tubimit të djeshëm, ky është tubimi i dytë në kuadër të diskutimit rreth zgjidhjes politike nga dëgjimi i drejtpërdrejtë i propozimeve të qytetarëve. Ditët në vijim do të ketë edhe tubime në qytete të tjera lidhur me temën e njëjtë “Zgjidhja sipas qytetarëve”.
23 tetor 2014
Lëvizja VETËVENDOSJE!