Zgjidhja sipas qytetarëve të Ferizajt – Nëse qëndrojmë, fitojmë
Dhjetëra pyetje nga qytetarët e Ferizajt u shtruan në drejtim të Kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Albin Kurti, deputetes Albulena Haxhiu dhe Koordinatorit të Qendrës se Ferizajt Emrush Xhemajlit lidhur me situatën politike të krijuar në vend. Këto ndodhën në tubimin “Zgjidhja sipas qytetarëve” i cili u mbajt në Qendrën e Kulturës në Ferizaj.
Pasi shpjegoi në pika të shkurtra se si u pamundësua formimi i Qeverisë Thaçi 3, duke i përmendur dy marrëveshjet, të 10 qershorit, të LAN-it dhe të 10 shtatorit, të Lëvizjes VETËVENDOSJE! me LAN-in, Albin Kurti tha:”Kemi dëgjuar se presidentja mund të na çojë në zgjedhje. Po të kishte mundësi të tilla kushtetuese e ligjore kjo mundësi do të shfrytëzohej dhe unë nuk do të isha fare sot në Ferizaj”. “Ne jemi gjithmonë të gatshëm për zgjedhje, por Kosova nuk ka nevoje për to, por për nje qeverisje ndryshe e qeveri te re të shumicës parlamentare”, vazhdoi Kurti gjatë diskutimit. Meqë, kjo çështje ishte interesim i qytetarëve, deputetja Albulena Haxhiu shpjegoi edhe procedurat se kur vendi mund të shkojë në zgjedhje. “Presidentja nuk ka të drejtë t’i shpallë zgjedhjet tani kur nuk është funksionalizuar dhe konstituuar Kuvendi”, tha Haxhiu. Ajo po ashtu shtoi se nuk duhet pranuar përgjithësimi që iu bëhet të gjitha subjekteve për bllokimin e formimit të institucioneve të vendit. Sipas saj, përgjegjësja e vetme për këtë është PDK-ja.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! është e interesuar që ta kemi edhe programin qeverisës edhe formimin e qeverisë, mirëpo tash për tash jemi në këtë situatë në të cilën është pamundësuar zgjedhja e kryeparlamentarit pasi nuk ka seancë. Besojmë se të keqen që e kemi ndalur është shumë e madhe, dhe besojmë se nuk do të ketë lëkundje”, ka thënë Kurti përgjatë diskutimit të zhvilluar.
Ai po ashtu tha se po ta printe këtë proces Lëvizja VETËVENDOSJE!, Enver Hasani do ta kishte fatin e Ibrahim Gashit. Kurse lidhur me marrëveshjen e 10 shtatorit mbi parimet, të nënshkruar me LAN-in, Kurti tha se asnjë nga 8 pikat e saj nuk i konvenon PDK-së. Duke i shpjeguar pikat një nga një Albin Kurti tha se kjo marrëveshje do t’i vendosë binarët për një kurs të ri të shtetit.
Marrëveshja e 10 shtatorit është quajtur nga qytetarët si parimore dhe pa ndërhyrje. Po ashtu, edhe në këtë tubim interesimi lidhej me propozimet e VETËVENDOSJE! sa i përket procesit të privatizimeve. Ata kanë vlerësuar se parimet bazë të Lëvizjes janë ruajtur.
Në situatën e tanishme mund të thuhet se Thaçi është dëmi që e ndërpremë, kurse shumica parlamentare është shansi, i cili nuk bën të humbet. Kurti tregoi se si Lëvizja VETËVENDOSJE! është “kritikuar” shumë pas kësaj marrëveshjeje dhe është interesant se si disa aktivistë të PDK-së derdhshin lot krokodili për parimet e VETËVENDOSJE!-s. Ai shpjegoi se veprimet e VETËVENDOSJE!-s janë strategji e pasuruar, brenda konceptit të njëjtë dhe për qëllimin e njëjtë. “Pastërtia morale e aktivistit të VETËVENDOSJE!-s nuk është qëllim, por është mjet për t’u përdorur politikisht, për të mirën e popullit”, tha Kurti.
Edhe aktivist Emrush Xhemajli tha se situata është mjaft e qartë, nga njëra anë kemi një shumicë parlamentare dhe nga ana tjetër një pakicë, PDK-në, që po e ndalon rotacionin demokratik, pra ndërrimin e pushtetit”.
1 nëntor 2014
Lëvizja VETËVENDOSJE!