08 05 2017

Zmbrapsja e qeverisë është rezultat i angazhimit qytetar

Kjo qeveri e cila është zmbrapsur disa herë e që po zmbrapset prapë është rezultat i angazhimit qytetar. Për shkak të organizimit tonë dhe për shkak të vetëdijësimit të popullit karshi akteve të tradhëtisë të kësaj qeverie, sot e shohim qeverinë duke i bërë disa tërheqje.

Këto u thanë gjatë një tubimi mobilizues me struktura të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Edhe një herë, aty u përsërit nevoja për zgjedhje të parakohshme. Në këtë tubim në të cilin folën kryetari Visar Ymeri, anëtari i kryesisë Elvis Hoxha dhe kryetari i Qendrës së Prishtinës Ylli Hoxha, u tregua vendosmëria kundër marrëveshjes për demarkacion. “Kjo qeveri e cila është zmbrapsur disa herë e që po zmbrapset prapë, është rezultat i angazhimit qytetar, për shkak të organizimit tonë dhe për shkak të vetëdijësimit të popullit karshi akteve të tradhëtisë të kësaj qeverie”, tha kryetari Visar Ymeri.

Kjo qeveri po e mban qytetarin nën kërcënim kur vjen puna te demarkacioni, marrëveshje e cila qartazi dhe sheshazi shihet se është ndëshkim për Republikën e Kosovës, e në asnjë mënyrë për sovranizimin e saj siç thoshin në fillim. Deri tash demarkacionin e kanë përdorur si kërcënim ndaj nesh, por tash kanë filluar ta përdorin kundrejt njëri-tjetrit. Në fund, kjo nuk është luftë për interesat e Kosovës, kjo është luftë për karrige.

Ne duhet t’i shtojmë energjitë, ta rrisim angazhimin në mënyrë që jeta e kësaj Qeverie të jetë sa më e shkurtë; dhe Kosovës t’i sjellet ndryshimi për të cilin jemi duke luftuar dhe qytetarët janë duke e kërkuar. Në Kosovë vendos vetëm populli dhe në burg do të shkojnë vetëm kriminelët.

Kontribo