Zvarritja për 7 vjet, 6 muaj e 17 ditë në prokurori!
Kronologjia e rastit të Astrit Deharit
Zvarritja për 7 vjet, 6 muaj e 17 ditë në prokurori!
Sulmi mbi Kuvendin dhe arrestimi i aktivistëve të LVV
- Më 4 gusht 2016, ndodh sulmi me predhë në ndërtesën e Kuvendit.
- Ky ishte inskenimi i sulmit të armatosur mbi ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, duke fshehur autorët e vërtetë dhe fajësimi i LVV, me qëllime të caktuara politike.
- Prej datës 5 gusht 2016 deri më 25 gusht, sipas policisë së Kosovës janë hetuar 4 persona krejtësisht të tjerë.
- Më 29 gusht 2016 arrestohet Astrit Dehari bashkë me 5 aktiviste/ë të LVV (Adea Batusha, Astrit Dehari, Atdhe Arifi, Frashër Krasniqi, Egzon Haliti dhe Petrit Ademi) për këtë sulm.
- Ky arrestim ndodhi për të parandaluar dhe penguar protestën e opozitës më 1 shtator 2016, para parlamentit të Kosovës kundër demarkacionit.
- Me urdhër politik nga maja e shtetit të involvuar ishin AKI, Policia, prokuroria dhe gjykata, prokurori Abdurrahim Islami para pensionimit kërkon arrestimin e aktivistëve, ndërsa urdhrin e lëshon gjykatësi Vehbi Kashtanjeva, po ashtu pak para pensionimit.
- Pak kohë pas arrestimit prokurori A. Islami dhe gjykatësi V. Kashtanjeva pensionohen. Sot punojnë si avokatë në Ferizaj.
Vrasja e Astritit
- Më 5 nëntor 2016 vdes aktivisti Astrit Dehari në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
- Shpejtësia e deklarimeve të zyrtarëve, deklarime kontradiktore nga Prokuroria e Shtetit, Shërbimi Korrektues, Policia e Kosovës dhe, në fund nga vetë Ministrja e Drejtësisë, kishin për qëllim fshehjen e rastit dhe hutimin e publikut.
- Rol negativ, dezinformues kishin disa media në rastin Dehari, me spekulime, dezinformata, shpifje etj, sidomos nxjerrja e incizimeve të manipuluara nga Expressi dhe Klan TV, pa autorizim. RTK mbulonte në atë kohë propagandën kundër LVV dhe arsyetonte arrestimin.
- Rasti i hetimit të vdekjes së Astrit Deharit iu ngarkua prokurorit Metush Biraj, i cili ishte vetëm vegël e krimit të organizuar në prokurori që duhej të zbatonte urdhrat politikë nga lartë. Sot i pensionuar punon si avokat në Prizren.
- Pas vetëm 13 ditëve, ende pa filluar hetimet, Kryeprokurori i Prizrenit Sylë Hoxha deklaron rrejshëm për vetëvrasje. Kyçja e jashtëligjshme e Kryeprokurorit S. Hoxha në rastin Dehari. Prokurori i rastit, Metush Biraj, i cili faktikisht veç nënshkrimit të dokumenteve, formalisht përjashtohet nga rasti.
- Veç 3 vjet më vonë, S. Hoxha, për shërbime të veçanta ndaj klikës vrastare, kundër LVV, është ngritur në prokuror special. Prokuror special një vrasës!
- Pas pensionimit, për merita të veçanta Sylë Hoxha shpërblehet nga LDK me kandidaturë për deputet. Pas dështimit të kandidaturës për deputet, sot punon si avokat në Prizren.
- 20 dhjetor 2016 – Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, i ka dërguar letër kryeprokurorit të shtetit Aleksandër Lumezi, përmes së cilës ajo kërkon të kryhen hetime për keqpërdorim të detyrës zyrtare inicion ndjekje ndërkombëtare ndaj avokatit Tomë Gashi dhe ndaj ekspertit të mjekësisë ligjore Besim Ymaj dhe patologut Besim Latifaj, të cilët kanë marrë pjesë në obduksionin e trupit të aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari.
- Sot, pas zbatimit të urdhrave të shefave, është pensionuar nga partia e vet PDK dhe është zhdukur nga skena publike.
- 7 muaj më vonë, më 3 prill 2017, vdekja e dyshimtë në burgun e Lipjanit e dëshmitarit Naser Makolli.
- Në ndërkohë, një tjetër bashkëvuajtës është zhdukur pas lirimit misterioz nga burgu, kurse bashkëvuajtësi i fundit është falur nga Presidenti i Kosovës.
Kërkesa për hetime ndërkombëtare
- Pas kërkesës së familjes dhe avokatit të familjes, më 24 Janar 2018 në media lansohet informata se: „Zyrtarë për media të Prokurorisë kanë konfirmuar për KTV-në se Prokuroria është duke i përgatitur të gjitha dokumentet e nevojshme për t’i dërguar për super ekspertizë në shtetin e Zvicrës, ashtu siç ka kërkuar familja Dehari.”
- Për këtë nuk janë informuar as familja dhe as Avokati i familjes në lidhje me këto veprime të prokurorisë.
- As Familja dhe as Avokati nuk kanë kërkuar super/ekspertizë, apo auditim të dokumenteve të mbledhura të prokurorisë dhe institucioneve tjera në Zvicër. Familja ka kërkuar hetim të plotë të pavarur të rastit të Astritit, në Kosovë dhe atë përfshirë zhvarrosjen e trupit të Astritit. Kjo ishte/është kërkesa e Familjes.
Gjykimi, dënimi dhe lirimi përfundimtar i aktivistëve
- Më 19 Nëntor 2017, vetëm 2 ditë para mbajtjes së raundit të dytë të zgjedhjeve komunale, GJTHP në Prishtinë, dënon aktivistët e LVV me mbi 21 vjet dënim me burg, pa asnjë provë materiale që do të mund të përdorej si dëshmi kundër aktivistëve tanë.
- Në Mars 2018, me vendimin e Gjykatës së Apelit rast kthehet në rigjykim! Pas mbi 2 vjet heshtje totale, në GJTHP në Prishtinë rifillon rigjykimi i rastit të aktivistëve të LVV në liruar në Mars 2018 nga gjykata e Apelit.
- Pas dështimit total të pushtetit për rastin « terrorist » të sulmit të Kuvendit, pushtetmbajtësit e kriminalizuar, kryesisht të PDK, të ndihmuar edhe nga ata të LDK, shpikën rastin tjetër „terrorist“, të ashtuquajtur „Syri i Popullit“, me përpjekjen për shpalljen e LVV si organizatë terroriste, tani me akuza të drejtpërdrejta kundër Albin Kurtit dhe Glauk Konjufcës, me dëshmitarë kyç Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli dhe eksponentë tjerë nga PDK-SHIK-u kriminal.
- Një fakt është qartësuar tanimë: gjithçka vërteton pafajësinë e aktivistëve të LVV. Këtë e ka dëshmuar edhe rigjykimi i rastit më 15 shkurt 2023 i GJTHP me aktgjykimin lirues, dhe përfundimisht me aktgjykimin fuqiplotë e ka vërtetuar Gjykata e Apelit më 31 tetor 2023.
- Pra, Astrit Dehari dhe aktivistët e LVV janë arrestuar e burgosur krejtësisht dhe plotësisht të pafajshëm. Astrit Dehari i pafajshëm vritet në Qendrën e Paraburgimit në Prizren pa u marrë asnjëherë në pyetje zyrtarisht nga gjykata për 78 ditë.
- Joligjërisht dhe joformalisht, Astrit Dehari është marrë në pyetje disa dhjetëra herë nga policia hetuese, natën, me urdhrin e prokurorisë dhe të gjykatës, pa e regjistruar këtë krim në mënyrë ligjore.
Prokuroria Speciale dhe rasti Dehari
- Pas vonesave disamujore, diku rreth mesit të verës 2019, Prokuroria e Kosovës i dërgon dokumentet dhe dëshmitë e dëmtuara, jokomplete, madje edhe me zarfe të zbrazët, të përgatitura në mënyrë krejtësisht joprofesionale, në Institutin e Lozanës për ekspertizë.
- Për shkak të dështimeve dhe zvarritjeve të motivuara politikisht dhe me qëllime kriminale nga Prokuroria e Prizrenit në procedurën e hetimore, më 30 tetor 2019, Kryeprokurori i shtetit e kalon rastin në Prokurorinë Speciale të Kosovës, në kompetencë të prokurorit speciale Afrim Shefkiu.
- Më 21 Tetor 2020, avokati i familjes njoftohet nga prokurori special Afrim Shefkiu se me datën 9 Tetor 2020 është kryer Rekonstruimi i vendit dhe i ngjarjes në Qendrën e Paraburgimit në Prizren pa pjesëmarrjen e avokatit të familjes dhe pa praninë e ekspertëve zviceranë nga Lozana. Kjo është shprehje e qartë e përpjekjes për të manipuluar me provat dhe dëshmitë.
- Prokurori i rastit Afrim Shefkiu kurrë nuk ka kërkuar hetim ndërkombëtar dhe të pavarur për të vërtetuar vrasjen e Astrit Deharit. Për më keq, ky prokuror nuk ka nxjerr kurrë̈ asnjë vendim për hetimin e vrasjes së Astrit Deharit, për hetimin e vrasësve-shtytesve në vrasje dhe për hetimin penal të atyre që deri më tani e kanë fshehur këtë rast.
- Ky prokuror, në vend që të kryej punën e tij zyrtare pas ardhjes së ekspertizës shtesë nga Zvicra me të cilin u konstatua manipulimi i provave, kishte filluar një luftë mediale kundër vetë rastit që duhej ta zgjidhte. Puna kryesore që bëri për hetime është, që përshkak të një postimi në Facebook të Ministres së Drejtësisë znj. Albulena Haxhiu, kishte kërkuar nga Policia e Kosovës që ajo të merrej në pyetje si dëshmitare për të ofruar informata se kush e vrau Astrit Deharin, duke e harruar punën e vet.
- Deri në ditën e sotme, rasti Dehari zvarritet vetëm në prokurori me përpjekje për manipulim tani 7 vjet, 6 muaj e 17 ditë, nga to 3 vjet, 9 muaj e 12 ditë në sirtarin e prokurorit special Afrim Shefkiu, i cili pensionohet pas 2 ditësh.
- Strategjia e prokurorisë së shtetit të Kosovës është e qartë: zvarritje e qëllimshme e rastit, bartje e rastit në kompetencë të prokurorëve parapensionistë, që dorëzojnë stafetën e krimit tek prokurori i ardhshëm parapensionistë, për zvarritje deri në harresë dhe deri në absurd.